Site icon Telegrafi

Prishtina nxjerr një pikë të artë në Gjilan

Stadiumi i Gjilanit ishte mbushur përplot me ‘Intelektualët’ në njërën anë të cilën ishin organizuar jashtëzakonisht mirë për këtë sfidë dhe krijuan atmosferë impozante gjatë gjithë takimit. Teksa, në anën tjetër, nga Prishtina kishin udhëtuar edhe qindra tifozë të ‘Plisave’ për ta mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.

Drita e nisi shumë mirë takimin duke shënuar që në minutën e 6-të me anë të Leutrim Pajazitit, i cili e dërgoi topin në rrjetë pas një tollovie në zonë. I njëjti lojtarë pati një rast të mirë edhe disa minuta më vonë por e shpërdoroi.

Në vazhdim të pjesës së parë ishin vendasit ata që e diktonin tempon e lojës, teksa mysafirëve iu vështirësuan edhe më shumë punët kur në minutën e 43-të u përjashtua me të kuq Sead Miftari, pas një ndërhyrjeje të ashpër.

Në pjesën e dytë Prishtina filloi të angazhohej maksimalisht dhe iu afrua shumë golit kur mesfushori Jahaj e goditi shtyllën, gjithashtu edhe Llumnica. Gjersa, në anën tjetër edhe Egzon Canaj i Dritës lëshoi një mundësi shumë të mirë ballë për ballë me portierin.

Sidoqoftë, mundi i lojtarëve të Prishtinës u shpagua në minutën e 78-të, kur pas një asistimi fenomenal të Gentrit Begollit, ballë për ballë me portierin doli debutuesi Shend Kelmendi, i cili e la në gjumë portierin e Dritës.

Deri në minutat e fundit të takimit vendasit ushtruan presion për të shënuar golin e fitores, mirëpo mbrojtja e mysafirëve e udhëhequr nga Adnan Haxhaj ishte mjaft solide dhe nuk lejoi ndonjë befasi tjetër.

Me këtë barazim Prishtina vazhdon formën e saj jo të mirë dhe tashmë është e pozicionuar në pozitën e 7-të me shtatë pikë, po aq ka edhe Drita por gjendet në një pozitë më lartë.

Raiffeisen Superliga, java e pestë:

Hysi – Trepça’89 2-0
Drita – Prishtina 1-1
Hajvalia – Ferronikeli 0-0
Trepça – Ferizaj 2-2
Llamkos Kosova – Fushë Kosova 4-0
Drenica -Besa 0-2

Tabela

1. Llamkos Kosova 11 pikë
2. Hysi 10 pikë
3. Ferizaj 8 pikë
4. Trepça ’89 7 pikë
5. Besa 7 pikë
6. Drita 7 pikë
7. Prishtina 7 pikë
8. Trepça 5 pikë
9. Fushë Kosova 5 pikë
10. Hajvalia 5 pikë
11. Ferronikeli 5 pikë
12. Drenica 3 pikë

/Telegrafi/ 

Exit mobile version