Prishtina ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në udhëtim me rezultat 71:77 (17:22, 12:22, 21:17, 21:16), në xhiron e 19-të në Superligën e Femrave.
Skuadra e Prishtinës e nisi ndeshjen më mirë dhe pas gjashtë minutash arriti epërsi deri në 11 pikë, 10:21, por më pas vendaset me një seri prej 7:1, ngushtuan shifrat në 17:22, sa përfundoi çereku i parë.
Edhe fillimi i periudhës së dytë ishte i baraspeshuar, deri te rezultati 29:35, por më pas prishtinaset hyn në një seri të jashtëzakonshme, duke shkuar në pushim me shifrat 29:44, plot 15 pikë epërsi.
Prizrenaset nuk dorëzohen dhe në periodën e tretë ishin më të mira, duke afruar rezultatin në tetë pikë, 48:56, por mysafiret në fund të kësaj pjese sërish arritën qëllimin, duke pasur epërsi prej 11 pikësh, 50:61, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.
Edhe në dhjetë minutat e fundit, skuadra vendase bëri përpjekje maksimale, megjithatë nuk arriti qëllimit, duke bërë që Prishtina të triumfojë me rezultat 71:77, që ishte fitorja e 19-të nga po aq ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme pa humbje në elitë, ndërsa prizrenaset kanë 12 fitore e shtatë humbje.
Te Bashkimi u dalluan Besjana Martinaj me 17 pikë e nëntë asistime dhe Monique Coker me 16 pikë dhe 12 kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 22 pikë e nëntë kërcime dhe Tynice Martin me 15 pikë e tetë kërcime.