Telegrafi

Prishtina nuk ia del, Daku i siguron fitore të madhe Llapit

Llapi ka befasuar Prishtinën duke e mposhtur në udhëtim me rezultat 1-2.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen duke rrezikuar disa herë portën e Ilir Avdylit.

Ishte fillimisht Debatik Curri që gjuajti me kokë, por portieri mysafir priti me sukses.

Rast tejet të mirë pati edhe Mërgim Neziri, por goditja e tij shkoi drejt e në portierin mysafir.

Edhe afrikani Makenda kishte një mundësi të mirë por që dështoi i vetëm para portës.

Rastet më të mira për Llapin në pjesën e parë i kishte super talenti Mirlind Daku, por portieri Visar Bekaj intervenoi për mrekulli.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e parë.

Prishtina golin e parë e shënoi falë një aksioni nga dyshja afrikane Makenda-Khalid.

I pari asistoi për mrekulli te Khaild i cili shënoi golin e tij të 10-të personal këtë edicion.

Llapi arriti ta barazoi rezultatin në minutën e 72-të, kur Berat Hyseni shënoi nga pika e bardhë për 1-1.

Por skuadra nga Podujeva sërish i falet super talentit Mirlind Daku i cili tregoi aftësitë e tij edhe në ndeshjen e sotme.

Pasi pranoi një top të bukur në zonë nga Berbatovci, Daku kaloi edhe portierin vendas për të shënuar për 1-2.

Goli ndaj Prishtinës ishte i nënti këtë kampionat për talentin e madh gjilanas.

Fitorja në udhëtim Llapin e mban përsëri në pozitën e katërt por vetëm me një pikë më pak se Prishtina.

Kryeqytetasit kanë pozitën e tretë me 60 pikë të grumbulluara pas 29 javëve. /Telegrafi/