Telegrafi

Prishtina nuk di për humbje – Peja kryeson

Kjo përballje hapi takimet e mesjavës që njëherësh është xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës në basketboll.

Bazuar në statistikat dhe cilësitë që posedojnë të dy skuadrat, prishtinasit konsideroheshin favoritë absolutë për fitore dhe ashtu ndodhi. Ata e shkatërruan Dritën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me një epërsi të lartë prej 48 pikësh.

Prishtina me këtë fitore ka çuar në 12-të serinë e fitoreve rresht dhe si duket është në rrugë të mirë për t’u shpallur kampion.

Nga ana tjetër, Peja ishte tepër e fortë për klubin basketbollistik Kosova, të cilin e mposhti në shtëpi me rezultat 119-77.

Pejanët janë në krye të tabelës me pikë të barabarta me prishtinasit, nga 27-të.

Pozita e tretë i takon Sigkos Bashkimit (me 23 pikë) që në këtë xhiro mposhti si mysafir ‘RTV 21’ me rezultat 81-64. /Telegrafi/