Site icon Telegrafi

Prishtina niset për Turqi, flasin trajneri Mirel Josa dhe kapiteni Armend Dallku

FC Prishtina sot ka udhëtuar drejt Antalisë për ta zhvilluar një fazë përgatitore për sezonin pranveror të Superligës në futboll, i cili do të fillojë në muajin e ardhshëm.

Skuadra bardhekaltër u nis drejt Turqisë me bindjen se pas dy javësh do të kthehet në Kosovë shumë më e fortë dhe se do ta arsyetojë epitetin e favorites kryesore për titullin e kampionit, i cili trofe i mungon qe një kohë të gjatë, e po ashtu për Kupën e Kosovës.

Trajneri Mirel Josa e ka falënderuar kryesinë e klubit për kushtet e mira që po ia ofrojnë në rrugëtimin drejt dy trofeve. Njeriu që i ka fituar pesë tituj të kampionit në Shqipëri – një me Tiranën dhe katër rresht me Skënderbeun – ka befasuar, duke thënë se asnjëherë në karrierën e tij nuk ka pasur rast të punojë në ndonjë klub në kushte çfarë FC Prishtina ua ka ofruar futbollistëve dhe trajnerëve të vet.

Andaj, trajneri i suksesshëm shqiptar shpreson që bashkë me futbollistët e tij ta shpaguajnë me trofe sakrificën e kryesisë së klubit bardh e kaltër.

“Përgatitjet i kemi nisur nga 6 janari. Përkushtimi i lojtarëve është maksimal. Kushtet nga drejtuesit e klubit na janë ofruar të gjitha. Mund të them se i kam kushtet më të mira që kam punuar deri më tani në të gjitha klubet ku kam punuar. Skuadrës nuk i mungon asgjë. Vetëm duhet të jemi të kujdesshëm sepse edhe klubet tjera përgatiten sikurse ne. Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj sepse dihet ku çon mendjemadhësia. Kështu që ne duhet ta shikojmë punën tonë dhe duke i respektuar të gjitha skuadrat tjera”, ka deklaruar Josa për “Zërin”.

Edhe pse FC Prishtina deri më tani nuk e ka bërë ndonjë përforcim në afatin kalimtar të janarit, Josa thotë se skuadra e tij posedon potencial të mjaftueshëm për të ecur drejt trofeve dhe kualifikimit në gara evropiane.

“Nuk do të thotë të bësh përforcime për ta fituar titullin dhe Kupën. Kryesore për mua është bërja e skuadrës. Unë jam përqendruar në lojtarët që Prishtina i ka pasur në skuadër dhe në lojtarët që janë dhënë në huazim në ekipet tjera. Prishtina ka lojtarë të mirë të rinj dhe me perspektivë”, ka theksuar Josa, i cili është shumë i kënaqur me disiplinën dhe angazhimin e futbollistëve të tij. “Në Kosovë ka një tjetër edukatë pune e cila këtu është më e lartë sesa në Shqipëri”, tha ai.

FC Prishtina do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje kontrolluese. Dy të tilla tashmë i ka aranzhuar. Më 31 janar Prishtina do të luajë kundër Akademija Pandev, që është e katërta aktualisht në elitën maqedonase. Ndërsa, më 3 shkurt bardhekaltrit do të luajnë me ekipin e gjashtë elitar të Hungarisë, Diosgyor.

Trajneri Mirel Josa në Turqi i ka marrë këta lojtarë: Visar Bekaj, Alban Muçiqi, Laurit Behluli, Përparim Osmani, Lorik Maxhuni, Abdul Bashiru, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Armend Dallku, Debatik Curri, Ben Nash Quansah, Visar Musliu, Diar Miftaraj, Lorik Boshnjaku, Mergim Pefqeli, Ergyn Ahmeti, Qendrim Zyba, Drashko Bozhoviç, Arbër Hoxha, Gauthier Mankenda, Kastriot Selmani, Bleon Sekiraqa, Liridon Fetahaj, Mentor Mazrekaj, Blend Baftiu, Ahmed Januzi, Basit Abdul Khalid.

Armend Dallku: Me padurim po e presim titullin

Kapiteni i FC Prishtinës, Armend Dallku, është i bindur se faza përgatitore në Turqi do t’i shërbejë skuadrës për ta plotësuar gatishmërinë për ta kërkuar titullin dhe Kupën në sezonin pranveror.

“Të kesh mundësi për përgatitje cilësore është kënaqësi jo vetëm për drejtuesit e FC Prishtinës që mundohen të bëjnë shumë për klubin, por edhe për ne futbollistët, sepse kushtet e mira për përgatitje na japin kënaqësi dhe vullnet për punë”, thotë ai.

“Falë Zotit kemi pasur kohë të mirë për të punuar deri më tani edhe në Prishtinë dhe pikërisht kur koha ndryshoi, u bë ftohtë, ne po shkojmë në Turqi, ku do të gjejmë kushte të mira për punë dhe do të përballemi me kundërshtarë të ndryshëm në ndeshje miqësore. Besoj dhe shpresoj që pas kësaj faze përgatitore në Kosovë, ku djemtë e kanë dhënë maksimumin, në të punojmë maksimalisht në aspektin taktik dhe psikologjik dhe të kthemi në Kosovë të gatshëm për ta fituar titullin e kampionit, i cili i mungon qe disa vite Prishtinës dhe të cilin trofe po e presim edhe ne me padurim”, tha për “Zërin” kapiteni Dallku.

Exit mobile version