Ditë më parë, po në udhëtim, në miqësore, Prishtina mposhti Besën e Pejës me shifrat 4:1.
Në bazë të rezultateve, Prishtina ka shfaqur formë të lartë në dy ndeshjet ku rastin e fituan shumë futbollistë nga të dy skuadrat që ishin në fushë. Një formë të tillë, Prishtina që llogaritet ndër skuadrat e mëdha të vendit, nuk e pati gjatë stinorit vjeshtor të Raiffeisen Superligës.
Prishtina pjesën e parë të edicionit 2015/2016 të elitës së futbollit kosovar e mbylli në pozitën e dhjetë me 18 pikë. La prapa vetëm dy skuadra, Vushtrrinë e Istogun. Prej 17 ndeshjeve të luajtura, Prishtina fitoi vetëm katër. Barazoi në gjashtë prej tyre dhe pësoi shtatë humbje.
Trajnerin e Prishtinës, Sami Sermaxhaj, dy fitoret e arritura në miqësore, nuk e mashtrojnë. Ai megjithatë vlerëson se ekipi ka nisur të komponohet më mirë për dallim nga ndeshjet kampionale.
Për ekipin "bardhekaltër" ndeshja me Lirinë e zhvilluar në Prizren ishte edhe e fundit e këtij viti. Njëjtë ishte edhe për Lirinë që ka përfunduar e nënta.
"Rezultatet në këso ndeshje nuk janë në plan të parë. Për ne janë ndeshje më shumë për ta ruajtur formën. E rëndësishme ka qenë që t’i testojmë lojtarët që kanë pasur më pak hapësirë gjatë kampionatit. Në aspektin sportiv këto fitore ndikojnë pozitivisht, por them se me këto ndeshje ruhet forma. Ekipi ka filluar të komponohet më mirë", ka thënë Sermaxhaj.