Është kapiteni i ekipit ‘bardhekaltër’, Driton Krasniqi ai i cili e konfirmon lajmin për ‘Sport Plus’, duke u ‘betuar’ se pa u paguar më parë, ai dhe lojtarët e tjerë nuk e kanë ndërmend që t’i rifillojnë përgatitjet.
“Prej ditës së mërkurë kemi vendosur që të hyjmë në bojkot, pasi që kemi dy rroga pa i marrë. Kemi vendosur që deri në momentin që të paguhemi, vetëm do të paraqitemi në stadium, por jo edhe të stërvitemi. Tashmë siç e dini, është koha e pushimeve dhe të gjithë kemi nevojë që të marrin rrogat e për të cilat kemi derdhur djersë”, ka deklaruar Driton Krasniqi.
Nuk luajnë ndaj Llamkosit
Prishtina ndeshjen e fundit të kampionatit e ka në program që ta luajë ndaj tashmë kampionit, Llamkos Kosova. Krasniqi njofton se futbollistët prishtinas nuk e kanë ndërmend që t’i veshin fanellat nëse më parë nuk marrim pagat.
“Nëse nuk i marrim pagat para kohe, normalisht që as në ndeshjen e fundit nuk shkojmë, përndryshe, në momentin që do të paguhemi, i rifillomë stërvitjet dhe pa kurrfarë diskutimi, udhëtojmë në Vushtrri për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Llamkos Kosovës”, vazhdoi Krasniqi.
Tutje, kapiteni i klubit më të madh në vend, njofton se lojtarët e Prishtinë kanë marrë premtime se do të paguhen shumë shpejt. “Po, po, kemi marrë premtime se do të paguhemi, por deri në këtë moment nuk ka ndonjë risi”, përfundoi prononcim e tij, Driton Krasniqi.
Ndryshe, Prishtina tashmë i ka humbur gjasat që të kurorëzohet me titullin e kampionit për edicionin 2013/14. Ky ekip një xhiro para mbylljes së kampionatit ndodhet në vendin e dytë me 57 pikë të tubuara, katër më pak se tashmë kampioni, Llamkos Kosova.
Lojtarët: Urime Llamkos
Në emër të të gjithë futbollistëve të Prishtinës, kapiteni Driton Krasniqi ia ka uruar titullin e kampionit, skuadrës nga Vushtrria, Llamkos Kosova. “Ua urojmë titullin të cilin e kanë fituar me plotë meritë”, vlerësoi Driton Krasniqi. /Telegrafi/