Klubi kryeqytetas, Prishtina, është prekur nga coronavirusi i njohur si Covid-19, pasi pas testimeve të bëra shtatë pjesëtarë të klubit kanë rezultat pozitiv.
Bardhekaltrit kanë pritur me ankth rezultatet e testimeve të të gjithë pjesëtarëve të klubit.
Pas pranimit të rezultateve, Prishtina nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar në lidhje me rezultatet, por Telegrafi ka mësuar ato me anë të burimeve të besueshme.
Sipas burimeve mirë të informuara të Telegrafit, shtatë pjesëtarë të klubit kryeqytetas kanë rezultat pozitiv me Covid-19.
Nga të rezultuarit pozitivë, katër janë pjesë e stafit të klubit, ndërsa tre tjerë janë futbollistë.
Telegrafi gjithashtu ka mësuar edhe emrat e atyre që kanë rezultat pozitivë, por ata nuk do të bëhen të ditur për shkak të korrektësisë.
Ndryshe, Prishtina është testuar nga IKShPK shkaku i kontaktit të tyre me kryeministrin Avdullah Hoti, pasi ky i fundit ishte pjesë e ndarjes së Kupës së Kosovës pas triumfit të kryeqytetasve në finale ndaj Ballkanit.
Prishtina tashmë ka udhëtuar drejt Istogut për përgatitje, pasi ndeshjet e tyre në Ligën e Evropës vijnë tek pas dy javësh dhe pjesëtarët e tyre mendohet se kanë kohë të mjaftueshme për t’u shëruar para nisjes jashtë vendit. /Telegrafi/