Prishtina ka arritur ta fitojë Superkupën e Kosovës në Antalya, pasi ka mposhtur kampionin në fuqi Dritën me rezultat 3-1.
Ndeshja nisi për mrekulli për Prishtinën që në minutën e dytë gjetën golin e epërsisë.
Ishte minuta e dytë e ndeshjes, kur Endrit Krasniqi asistoi bukur në zonë dhe Qëndrim Zyba shënoi për 1-0.
Megjithatë gëzimi i kryeqytetasve nuk zgjati më shumë se gjashtë minuta kur Kastriot Rexha barazoi për Dritën pas gabimit të portierit Haxho 1-1.
Tempo e lojës ishte jashtëzakonisht e lartë ku bënte dy skuadrat të shfaqnin futboll cilësor.
Në minutën e 20-të, Leonit Abazi u pengua në zonë nga Ardian Limani dhe gjyqtari turk akordoi penallti për Prishtinën.
I saktë nga pika e bardhë ishte mbrojtësi i djathtë Besnik Krasniqi që shënoi për 2-1.
Me epërsinë prej një goli të Prishtinës 2-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Edhe pjesa e dytë ishte fantastike me të dyja skuadrat që patën raste të mira shënimi.
Drita krijoi më shumë, por portieri i inkuadruar në lojë i Prishtinës, Ardit Nika ishte fantastik me disa pritje.
Krejt në fund kur gjilanasit po kërkonin golin e barazimit, Prishtina gjeti edhe golin e tretë.
Ishte sulmuesi i inkuadruar në lojë, Alban Shillova që realizoi për 3-1.
Vlen të theksohet se kjo ndeshje ishte historike për faktin që për herë të parë në histori të futbollit kosovar një finale zhvillohet jashtë shtetit. /Telegrafi/