Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-0 ndaj Fushë Kosovës në kuadër të javës së 35-të në elitën e futbollit kosovar.
Kryeqytetasit e nisën mirë takimin duke dominuar me raste për gol ku eventualisht pas disa tentimeve arritën të gjejnë golin.
Mërgim Pefqeli (38’) ishte ai që hapi serinë e golave për Prishtinën duke realizuar për rezultatin 1-0 pas asistimit të Genc Hamitit.
Prishtina nuk u ndal më kaq dhe gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe me anë të Ardian Limanit (45’) i cili shënoi për rezultatin 2-0.
Të besuarit e Emanuel Egbos vazhduan me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë duke gjetur rrugën e rrjetës edhe në dy raste të tjera.
Hasan Hyseni në minutën e 65-të shënoi për rezultatin 3-0, ndërsa po i njëjti lojtar shënoi për rezultatin 4-0 në minutën e 67-të.
Golin e fundit në këtë takim e shënoi Igball Jashari që realizoi për 5-0 në minutën e 74-të.
Prishtina ndeshjen e fundit në kampionat do ta luajë javën e ardhshme në Suharekë ndaj Ballkanit që pas fitores ndaj Llapit është shpallur kampion i Superligës së Kosovës./Telegrafi/