Site icon Telegrafi

Prishtina mposht me rezultat të thellë Dukagjinin

Foto: FC Prishtina/Facebook

Prishtina ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-1 ndaj Dukagjinit në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Kryeqytetasit kanë vazhduar serinë pozitive, duke marr edhe fitoren e tretë me radhë në kampionat apo të pestën së bashku me dy fitore në Kupë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Prishtinës, por të dy skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.

Të parët në epërsi kaluan kryeqytetasit me anë të Oto John, i cili shënoi me kokë në minutën e 30-të për 1-0, ndërsa Dukagjini barazoi 1-1 me anë të Altin Merlakut (43’).

Në pjesën e dytë, djelmoshat e Armend Dallkut treguan se imperativ i tyre është vetëm fitorja dhe arritën të shënojnë edhe tri gola për të siguruar fitoren e radhës.

Fillimisht ishte Ahmed Januzi, i cili në minutën e 68-të shënoi për 2-1, ndërsa më vonë shënuan Meriton Korenica (85’) për 3-1 dhe Kreshnik Uka (88’) për rezultatin përfundimtar 4-1.

Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh veten në pozitën e dytë me 50 pikë apo dy më pak se Drita e vendit të parë, ndërsa Dukagjini renditet i fundi me 10 pikë. /Telegrafi/

Exit mobile version