Prishtina ka fituar ndaj Llapit me rezultat 2-0 në derbin e javës së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e Mirel Josës ka nisur për mrekulli pjesën pranverore të kampionatit kosovar të futbollit duke mposhtur Llapin në derbin e javës.
Bardhekaltrit e nisën mirë takimin duke shënuar qysh në minutën e dytë me anë të Drasko Bozovic, i cili nga gjuajta e lirë kaloi Prishtinën në epërsi 1-0.
Prishtina pati rast të mirë edhe në minutën e tetë me Ergyn Ahmetin, por goditja e tij shkoi pranë portës.
Llapi pati rast të mirë të barazojë rezultat në minutën e 43-të, por Mirlind Daku nuk pati sukses dhe skuadrat shkuan në pushim me epërsi minimale.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të vendasve, të cilët tentuan disa herë të shënojnë, por vetëm një herë e gjetën rrjetën.
Luhej minuta e 70-të, kur pas një harkimi të mirë nga Arago Jamal, topi i goditur me kokë nga Ahmet Januzi u devijua nga Egzon Sinani, i cili shënoi autogol për epërsinë e Prishtinës 2-0.
Krejt në minutat e fundit Llapi kishte mundësi të ngushtonte epërsinë, por goditja e Dakut u ndal nga traversa dhe ndeshja përfundoi me fitoren e prishtinasve.
Pas kësaj fitore, Prishtina rikthehet në vendin e parë pas një kohe të gjatë me 35 pikë apo një më shumë se Llapi në vendin e dytë.
Në ndeshjen e radhës, Prishtina udhëton drejt Vëllaznimit, ndërsa Llapi e pret Dritën në derbin e javës. /Telegrafi/