Site icon Telegrafi

Prishtina mposht Vëllaznimin në çerekfinalen e parë

Sigal Prishtina ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të “Play-offit” kundër Vëllaznimit me rezultat 72:64 (24:18, 20:22, 13:8, 15:16).

Bardhekaltrit e nisën ndeshjen më mirë, me një seri të jashtëzakonshme 13:2, por kuqezinjtë iu afruan në rezultat, ku çereku i parë përfundon 24:18.

Periudha e dytë ishte më e barabartë, me mysafirët që afruan rezultatin në 40:38, derisa pjesa e parë përfundoi 44:40.

Kuqezinjtë vazhduan me lojë të mirë dhe me shtatë pikë radhazi përmbysën shifrat në 44:47, por prishtinasit u rikthyen dhe sërish shkëputën në 57:48, derisa në dhjetë minutat e fundit thelluan më shumë epërsinë, ndërsa triumfuan me rezultat 72:64.

Henrik Sirko ishte më i dalluari te vendasit me 18 pikë, tri kërcime e tri asistime, kurse te mysafirët Jordan Dallas shënoi 14 pikë e bëri edhe tetë kërcime.

Ndeshja e ardhshme do të zhvillohet në Gjakovë, derisa skuadra që shënon dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale, ku i pret Trepça, që ka përparësinë e terrenit vendas./Telegrafi/ 

Exit mobile version