FC Prishtina e ka zgjedhur trajnerin e ri deri në përfundim të sezonit 2019/20.
Bylbyl Sokoli rikthehet pas katër vitesh në udhëheqje të Prishtinës.
Ai në fushën e 2 Korrikut është prezantuar nga kryesia e klubit para lojtarëve.
“Bylbyl Sokoli sot u prezantua para futbollistëve duke u njoftuar me ta dhe pasi që mbajti fjalimin brenda ambienteve të fushës së 2 Korrikut u prononcua para medieve”.
“Bylbyl Sokoli, kryetrajner i shumë skuadrave kosovare, së fundi kishte udhëhequr Ferizajn. Ndërsa, në FC Prishtina ka qenë kryetrajner në edicionin 2014/15 duke i prirë skuadrës në 25 ndeshje zyrtare (11 fitore, 9 barazime dhe 5 humbje)”, thuhet në njoftimin e klubit.
Sokoli ka mbajtur takim me lojtarët ku iu ka folur për atë se si e sheh skuadrën dhe lojën.
Ai para katër vitesh ishte shkarkuar nga Prishtina për mossukses. /Telegrafi/