Telegrafi

Prishtina merr fitore të madhe në udhëtim te Drenica

Prishtina ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Drenica me rezultat minimal 0-1.

Prishtina realizoi gol me Leotrim Kryeziun, por pas rishikimit në VAR, goli i sulmuesit kryeqytetas u anualua.

Nuk vonoi shumë dhe bardhekaltërtit kaluan në epërsi me anë të qendërmbrojtësit Bujar Pllana.

Ishte minuta e 33-të e ndeshjes, kur qendërmbrojtësi Bujar Pllana u gjend bukur në zonën e Drenicës dhe nga afërsia realizoi për 0-1.

Me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1 u mbyllen 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Në pjesën e dytë ishin vendasit që krijuan më shumë raste shënimi me Agim Zekën e Bintsouka Koxy, por pa arritur ta dërgonin topi në rrjetë.

Krejt në fund të ndeshjes, portieri i Prishtinës Ardit Nika luajti me dorë jashtë vijës së 16 metërshit dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Duke marrë parasysh që Prishtina nuk kishte më drejt të bënte zëvendësime, në portë u fut mesfushori Mërgim Pefqeli.

Por në fund kryeqytetasit morën tre pikë të arta dhe tani janë në vendin e katërt me 35 sosh, katër më pak se Gjilani në vendin e tretë.

Në xhiron e ardhshme Drenicën e pret ndeshje e vështirë në udhëtim te Drita, derisa Prishtina pret Trepçën ’89. /Telegrafi/