Natyrisht se është ky rast i mirë për vashat bardhekaltër, ndonëse duhet thënë Prishtina është larg cilësisë së shfaqur viteve të fundit si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Prishtina ka pësuar shumë ndryshime, është dobësuar dukshëm pasi pothuajse përbërja e parë është larguar dhe kjo është vërejtur qartë edhe në fillim të edicionit të ri, ku Prishtina ka pësuar dy humbje. Nuk janë këto të vetmet telashe me të cilat preokupohen drejtuesit e kësaj skuadre.
“Ditëve të fundit nuk kemi pasur as kushte të mira për stërvitje, pasi për shkak të fushatës me rastin e zgjedhjeve në vendin tonë, palestra ishte e zënë dhe ne detyroheshim të shkojmë edhe në fitnes vetëm që mos të humbin stërvitje. Pastaj edhe me viza doli shumë punë, sepse çdo ditë kërkohet diçka e re nga dokumentacioni dhe ky është maltretim për të gjithë, por shpresoj se nuk do të dalin pengesa tjera”, thotë Zijavere Salihu, trajnere e Prishtinës, e cila nuk e humb besimin se vashat mund të bëjnë diçka nga dy ndeshjet me skuadrën zvicerane.
“Është e vërtetë se ne jemi dobësuar, por po mundohemi që ta arrijmë nivelin që e kemi pasur, madje ta tejkalojmë. Në fillim të kampionatit ishte shumë vështirë pasi përveç mungesave të shumta, në çastet e fundit mbetëm pa portiere, kështu që u detyruam ta marrim nga radhët e pioniereve. Kemi edhe dy përforcime nga Maqedonia, por të cilat nuk janë fare më cilësore se hendbollistet që i kemi”, thotë Salihu. Sipas saj, “me njohuritë që i kemi, as skuadra zvicerane nuk është shumë cilësore, por vjen nga një shtet i fortë dhe ka gjasa që ato të jenë përforcuar me hendbolliste cilësore, kurse ne nuk e kemi këtë mundësi”, shprehet dikur hendbollistja më e dalluar e Prishtinës, Zijavere Salihu.
Ekspedita e Prishtinës pritet që për në Bazel të udhëtojë më 9 nëntor, ndërsa ndeshjen e zhvillon të nesërmen më 10 nëntor, në orën 17:00. Duhet theksuar se në radhët e skuadrës zvicerane luan edhe kosovarja Flaka Dervishaj (vajza e ish volejbollistit dhe tani trajnerit me nam Bujar Dervishaj). Në garat e edicionit të kaluar Prishtina kishte eliminuar skuadrën greke GAS Megas Alexandros kurse më pas është mposhtur nga skuadra sllovene Zagorje. /Zëri/Telegrafi/