Site icon Telegrafi

Prishtina mban javën e shëndetësisë

Java e shëndetësisë është shënuar me disa aktivitete në kryeqytet, e gjithë kjo me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për jetesën e shëndetshme. E derisa drejtuesit e institucioneve shëndetësore në Prishtinë lavdërohen për kushte, farmacistët kanë kërkesa për rregullimin e çmimit të ilaçeve.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve në Kosovë, Jehona Hakaj, ka thënë për kp se tani është koha që të rregullohet sigurimi shëndetësorë, ngase nga ai moment farmacisti nuk do të merret më me çmimet.

Kërkesa e odës për Ministrinë e Shëndetësisë është që të dëgjohet edhe zëri i tyre.

“Njëherë e përgjithmonë të rregullohet çmimi i ilaçeve që çdo barnatore të ketë çmimet e njëjta dhe farmacisti të mos merret me çmime ku ka më lirë e ku më shtrenjtë, dhe çka është më e rëndësishme e nevojshme të rregullohet sigurimi shëndetësorë. Kur rregullohet sigurimi shëndetësorë kjo pjesa e shërbimeve profesionale farmacisti do të jetë në nivelin më të lartë, të merret me terapinë, recetën, dhënien e ilaçeve dhe nuk duhet të merret me çmimet. Ne i përfaqësojmë 1600 farmacistë nga të cilët janë anëtarë të odës dhe mendoj se vetëm se është koha e fundit që të rregullohet çështja e barnatoreve, se nga mjekësia unë mendoj, se sektori i farmacisë ka mbetur më i lënë anash,” ka thënë Hakaj.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, ka thënë se kjo drejtori ka rritur shërbimin shtëpiak i cili punon nga 12 orë në 365 ditë, janë rritur shërbimet laboratorike, radiologjie dhe stomatologjike.

Sadiku ka shtuar se gjatë vitit 2023 drejtoria e shëndetësisë ka mbuluar mbi 500 mijë euro për barna.

“Vetëm vitin e kaluar kemi dhënë diku rreth 3 milionë e 500 mijë shërbime, mbi 1 milion e 100 mijë vizita, rreth 1 milion shërbime laboratorike. Ne kemi rrit shumë shërbime në Prishtinë e kemi rrit shërbimin shtëpiak që punon sot 12 orë 365 ditë, kemi rrit shërbimet laboratorike, radiologjike, stomatologjike dhe gjitha këto kanë ndikuar sot që ne me u krenu me shëndetësinë e Prishtinës. Vetëm vitin e kaluar, 500 mijë euro kemi shpenzuar për barna, duke pasur parasysh që 40 për qind diku i ka mbuluar Ministria e Shëndetësisë”, ka shtuar Sadiku.

Kurse, specialistja e mjekësisë familjare, Arjeta Pula, është shprehur se në aktivitetet që janë mbajtur në javën e shëndetësisë, janë ofruar shërbime dhe këshilla për qytetarët, për arsye që popullata të ndërgjegjësohet më shumë.

“Aktiviteti fizik, lënja e shprehive të këqija, lënja e duhanit, përdorimi i alkoolit, me një fjalë të bëhet një ndërgjegjësim më i gjerë i popullatës lidhur me të jetuarit me një stil jetese të shëndetshme që të ketë një shëndet të plotë. Me të vërtetë ka një përparim shumë të madh, çdoherë është arritur zhvillimi i shëndetësisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për qytetarët tanë”, është shprehur Pula.

KosovaPress-i gjithashtu ka kontakuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me zhvillimet dhe ngecjet në sektorin e shëndetësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Disa nga aktivitetet kryesore gjatë javës së shëndetësisë ishte edhe dhurimi vullnetar i gjakut.

Exit mobile version