Site icon Telegrafi

Prishtina Marathon 2024, mbi më shumë se 1000 vrapues

Më 22 shtator 2024, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, mirëpriti edicionin e 23-të të Maratonës dhe Gjysmë Maratonës në Prishtinë, një event i organizuar nga Federata Atletike e Kosovës që mirëpriti mbi 1 mijë pjesëmarrës.

Kjo ngjarje madhështore sportive u karakterizua nga gara të ndryshme, duke përfshirë maratonën e plotë 42 km, si dhe disiplina të tjera si 2 km, 5 km, 10 km dhe 21 km.

Në maratonën e femrave, triumfoi kampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa, shqiptarja Luiza Gega, duke lënë pas konkurrencën me një performancë të shkëlqyer.

Ndërsa, në kategorinë e meshkujve, keniani Shedrack Kimaiyo doli fitues, duke i dhënë garës një dimension ndërkombëtar.

Pjesëmarrja nga maratonistët kosovarë ishte gjithashtu e fuqishme. Olimpistja Gresa Bakraçi zuri vendin e parë në garën 10 km, duke dëshmuar cilësinë dhe përkushtimin e sportistëve tanë. Në garën e 5 kilometrave, Genc Isufi mori vendin e parë për meshkuj, ndërsa Valentina Kelmendi dhe Merve Spahi siguruan vendet e dyta dhe të treta për femrat.

Gara u mbështet nga një numër i madh sponsorësh, të cilët kontribuan në realizimin e suksesshëm të këtij eventi të rëndësishëm sportiv. Organizatorët falënderojnë të gjithë pjesëmarrësit dhe sponsorët për mbështetjen e tyre të palëkundur, duke u shprehur entuziazmin për edicionet e ardhshme.

Komiteti Olimpik i Kosovës gjithashtu përgëzoi Federatën Atletike të Kosovës për organizimin e këtij eventi madhështor, i cili jo vetëm që promovon sportin, por gjithashtu fuqizon dhe bashkon komunitetin sportiv vendas dhe ndërkombëtar.

Na ndiqni në rrjetet tona sociale Instagram dhe Facebook për të kuptuar më shumë informata rreth eventit

Exit mobile version