Site icon Telegrafi

Prishtina i kthehet fitoreve, e mund Lirinë në udhëtim

Prishtina ka arritur t’i kthehet fitoreve duke mposhtur Lirinë me rezultat minimal 1-0.

Sfida u zhvillua në një atmosferë të mirë në Prizren, ku presioni ishte i madh për klubin nga kryeqyteti që erdhi pas humbjes nga Drita dhe barazimit ndaj Flamurtarit.

Pjesa e parë i takoi Prishtinës që dominoi në posedim, por nuk arriti të krijonte ndonjë rast të rrezikshëm. Liria provoi nga kundërsulmet.

Ndeshja krejt tjetër u zhvillua në pjesën e dytë, ku të dy skuadrat rrezikuan portat e njëra-tjetrës.

Pas një depërtimi të Qëndrim Gashit, ishte Karahoda ai që nga afërsia qëlloi shtyllën pas një ore lojë.

Në minutën e 64, pasi Korenica hapi lojën në krahun tjetër te Arbër Hoxha, ishte ky i fundit që gjeti Thaçin të lirë në krah që me një harkim vë në pozitë shënimi sulmuesin Basit Khalid, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 dhe epërsinë e kryeqytetasve.

Në vazhdim Prishtina pati edhe mundësi tjera shënimi, por nuk ja doli.

Minutat e fundit Liria pati iniciativën duke shpresuar në një barazim, por nuk ja doli.

Me këtë fitore Prishtina ka 15 pikë në vendin e tretë, pesë pikë më pak se Ferronikeli që mban pozitën e parë pasi mposhti Llapin në udhëtim, kurse ka një pikë më pak se Llapi, skuadër të cilën e pret të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 17:45. /Telegrafi/

Exit mobile version