Telegrafi

Prishtina i kthehet fitores pas katër ndeshjeve, triumfon te Trepça ‘89

Prishtina ka marrë një fitore të madhe 3-0 në udhëtim te Trepça ‘89 në kuadër të javës së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Pas katër ndeshjeve radhazi pa fitore në kampionat, me dy barazime dhe dy humbje, Prishtina i është gëzuar tri pikëve të plota nga udhëtimi i tyre në Mitrovicë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë për një nuancë të kryeqytetasve, të cilët edhe gjeten golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 39-të dhe ishte Kreshnik Uka, i cili shënoi nga penalltia për 0-1.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, por përsëri Prishtina ishte më konkrete duke gjetur golin.

Goli i parë në këtë pjesë u shënua në minutën e 52-të me anë të Muhamed Useinit, i cili shënoi për 0-2.

Deri në fund, pati edhe shumë raste nga të dyja skuadrat, por vetëm Prishtina gjeti golin me anë të Ramiz Bytyqit që shënoi gol të bukur nga një depërim individual dhe vulosi fitoren 3-0.

Me këtë fitore, Prishtina e sheh veten në pozitën e katërt me 26 pikë, ndërsa 89-shi zë vendin e nëntë me 18 pikë.

Me këtë takim mbyllen ndeshjet e rregullta të sezonit vjeshtor, por të dy skuadrat do të ndeshen me Ballkanin, shkaku i ndeshjeve të mbetura sa therandasit ishin në garat evropiane.

Trepça ’89 luan pas tri ditësh me Ballkanin, ndërsa Prishtina me 11 dhjetor. /Telegrafi/