Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit Dashmir Elezi, i cili vjen nga Lokomotiva e Zagrebit.
Klubi kryeqytetas ka vazhduar me përforcime para nisjes së sezonit 2024/25 në Albi Mall Superligën.
Pas konfirmoi tri transferime gjatë ditës së djeshme, Prishtina ka zyrtarizuar edhe sot (e enjte) një transferim.
Bëhet fjalë për talentin e madh shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Dashmir Elezi, i cili transferohet nga Lokomotiva e Zagrebit.
Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit bardhekaltër, me lojtarin që ka deklaruar se nuk ka pasur dyshime ta zgjedh Prishtinën, përkundër shumë ofertave.
Postimi i plotë pa ndërhyrje
Mirë se vjen, Dashmir!
Sulmuesi i lindur më 21.11.2004 në Tetovë, Dashmir Elezi, na bashkëngjitet nga Lokomotiva e Zagrebit. Anëtari i të gjitha kategorive të reja të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ka nisur futbollin dhe është kalitur në Shkëndijë të Tetovës, ndërsa është sprovuar edhe në Torpedo të Kutaisit në Gjeorgji dhe së fundi në Lokomotivë të Zagrebit
“Kisha oferta edhe nga klube tjera, por kur rashë në kontakt me klubin më të madh në Kosovë, as që e kam menduar dy herë dhe mezi po pres të dalim në fushë. Kam luajtur me shumë futbollistë nga Kosova dhe Prishtina, e njoh futbollin vendor dhe me ndihmën e Zotit e së bashku me Plisat të kemi shumë gëzime e suksese”.
/Telegrafi/