Site icon Telegrafi

Prishtina kërkon fitore për vete dhe për Energian

Humbja e fundit nga Astana, të mërkurën, ishte e treta për Sigal Prishtinën në udhëtim, në kuadër të Grupit K të FIBA Europe Cup. Ka dy fitore në shtëpi dhe aktualisht pas pesë xhirove renditet në pozitën e tretë në tabelë me shtatë pikë të mbledhura sa i ka AEK Larnaca në pozitën e dytë dhe Astana në të fundit (4). Prin Energia me nëntë pikë, e cila tashmë një xhiro para përfundimit të fazës së rregullt të grupeve ka siguruar kalimin në fazën e dytë, shkruan sot Koha Ditore.

Xhiron e fundit Sigal Prishtina e pret në shtëpi AEK-un. Për të siguruar pozitën e dytë në tabelë, Prishtina duhet ta mposhtë AEK-un dhe të shpresojë që në ndeshjen tjetër Energia të triumfojë në udhëtim ndaj Astanas. Prishtina luan me datën 1 dhjetor, kurse Astana një ditë më vonë. Në rast se AEK-u shënon fitore në Prishtinë, atëherë kualifikohet si i dyti pavarësisht rezultatit në Astana.

Ndërsa, nëse fitojnë si Prishtina ashtu edhe Astana, kualifikohet nga pozita e dytë ekipi nga Kazakistanit. Prej 14 grupeve që po garojnë këtë edicion në FIBA Europe Cup, dy skuadrat e para kualifikohen në fazën e dytë. Po ashtu një vend në fazën e dytë e kanë edhe katër skuadrat me rezultatet më të mira që përfundojnë në pozitën e tretë. Kundër AEK-ut, Sigal Prishtina do të luajë me ekipin e njëjtë që e pati ndaj Astanas, pa qendrën Jason Washburn të lënduar dhe pa ndonjë përforcim tjetër.

"Në grupin tonë vetëm Energia e ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër dhe tash për pozitën e dytë do të vendoset në xhiron e fundit. Ne në shtëpi i kemi mposhtur edhe Energian edhe Astanan", ka thënë Ilievski, duke theksuar se nëse mposhtin AEK-un, atëherë do të presin një "ndihmë" nga Energia. 

Exit mobile version