Site icon Telegrafi

Prishtina kalon në finale të Kupës së Kosovës

Foto: basketbolli.com

Prishtina është skuadra e parë që është kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës në basketboll, në konkurrencën e femrave.

Skuadra prishtinase ka shënuar fitore ndaj Trepçës me shifrat 86:50 (19:17, 29:7, 20:13, 18:13), në gjysmëfinalen e zhvilluar në kryeqytet.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar dhe çereku i parë u karakterizua si shumë i barabartë, ku herë njëra dhe herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, pa arritur shkëputjen dhe kjo pjesë përfundoi 19:17. Vendaset vazhduan fuqishëm në periudhën e dytë, me një seri të jashtëzakonshme, 27:0, ku mysafiret nuk shënuan për tetë minuta, ndërsa rezultati ishte i lartë 46:17, kurse pjesa e parë përfundoi me rezultat 48:24.

Prishtinaset e shtuan epërsinë edhe më shumë në periodën e tretë, ku më e larta ishte 32 pikë, 61:29, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 68:37. Dhjetë minutat e fundit ishin vetëm formalitet me fituesin që tashmë dihej dhe Prishtina triumfon me shifrat 86:50.

Te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 12 pikë e dhjetë kërcime dhe Djellza Dekaj me 16 pikë e pesë kërcime, kurse te mitrovicaset u dallua Tasharra Jeffries me 36 pikë e tetë kërcime.

Prishtina në finale do të përballet me fituesin e ndeshjes Penza-Bashkimi, që zhvillohet të mërkurën nga ora 14:00. Finalja do të zhvillohet të dielën nga ora 15:00.

Exit mobile version