Stadiumi ‘Ferki Aliu’ edhe kësaj radhe ishte i stërmbushur nga tifozët vushtrrias të cilët dhuruan atmosferë impozante gjatë tërë takimit, teksa Plisat munguan në këtë ndeshje, pasi që udhëtimi i tyre iu pamundësua nga kryesia e klubit Llamkos Kosova.
Prishtina avancoi në pjesën e parë përmes Liridon Latifit në minutën e 23-të, i cili shfrytëzoi një asist të mrekullueshëm nga Kastriot Rexha. Në përgjithësi, në pjesën e parë u pa një lojë e hapur, por diçka më shumë raste pati skuadra mysafire. Sidoqoftë, deri në përfundim të pjesës së parë, rrjetat nuk u tundën më.
Në pjesën e dytë u pa një iniciativë e Llamkosit në kërkim të barazimit, mirëpo portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica, ishte në ditën e tij më të mirë.
Në minutën e 67-të të takimit, gjyqtari i ndeshjes Besfort Kasumi përjashtoi nga loja Lirdion Lecin dhe Daut Maxhunin, pasi ky i fundit e spërkati me ujë të parin. Dhjetë minuta më vonë u përjashtua edhe Kastriot Rexha i Prishtinës, pas një ndërhyrjeje të rrezikshme dhe kështu Prishtina mbeti me nëntë lojtarë. Sidoqoftë, me një organizim të mirë në mbrojtje, Bardhekaltërit ia dolën mbanë të mbrohen deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Me këtë fitore, Prishtina arrin në kuotën e 33 pikëve në pozitën e dytë, 7 më pak se lideri Llamkos Kosova. /Telegrafi/