Pas fitores së madhe në FIBA Europe Cup ndaj Energias dhe humbjes befasuese ndaj Mornarit dje, bardhekaltërit janë këndellur duke e mposhtur Vëllaznimin në kuadër të Superligës.
Ekipi i trajnerit Marian Ilievski, megjithë lodhjen e madhe nga dy ndeshjet e kaluara, shënoi fitore me 21 pikë epërsi ndaj gjakovarëve, të cilët ishin dukshëm më të dobët në cilësi.
Ilievski në këtë ndeshje shfrytëzoi rastin që t’i pushuar disa nga lojtarët kryesor si Dardan Berisha, Khalid El-Amin dhe Mohamed Abukar, derisa në mungesë të tyre përgjegjësin kryesore në fushë e morri qendra Blerim Mazreku, që shënoi plotë 34 pikë për fitoren e gjashtë të Sigal Prishtinës në Superligë.
Me mbi 30 pikë e përmbylli takimin edhe basketbollisti i Vëllaznimit, Gent Zeka, që shënoi saktësisht 31 pikë dhe kontribuoi me 2 kërcime dhe 2 asistime, derisa u dallua edhe Arian Qallaku me 16 pikë të shënuara.
Pas kësaj ndeshjeje Sigal Prishtina përsëri i ka kthyer sytë kah FIBA EuropeCup, ku pas pesë ditësh do të përballet me kampionen e Kazakistanit, Astanan, të cilën e kishte mposhtur në ndeshjen e parë./Telegrafi/