Vëllaznimi dhe Prishtina dominuan më shumë, por nuk ia dolën që t’i fitojnë nga tre pikë. Ky barazim i kushtoi më shumë Prishtinës, e cila e shkarkoi pas takimit kryetrajnerin gjermanin Jerat.
“Rezultatet e dobëta veçmas në terrenin tonë, ishin arsye të këtij shkarkimi”, ka thënë për Telegrafin nënkryetari i KF “Prishtina”, Afrim Muqiqi, i cili bëri të ditur se Prishtinën do ta drejtojë në vazhdim Jusuf Tortoshi.
Hysi mposhti Besën duke bërë edhe një hap për të shpresuar në mbrojtjen e titullit të kampionit. Drenica deklasoi Lirinë (3-0) dhe me këtë fitore dëshmoi se rezultatet e mira në këtë kaptinë nuk janë të rastit.
Fitoren më të thellë e regjistroi Trepça ’89, e cila mundi KEK-un (4-1). Mitrovicasit nuk patën rival të denjë në këtë përballje.
Pikët e shpresës së madhe të mbijetesës i inkasoi Gjilani që me rezultat 2-1 mundi rivalin lokal Dritën.
Në tabelën e klasifikimit prin Vëllaznimi me 47 pikë, para Prishtinës që ka 46 pikë dhe Trepçës ’89, e cila ka tubuar 45 pikë. Në dy pozitat e fundit vazhdojnë të mbesin KEK-u me 21 pikë dhe Gjilani me 24 pikë. /Telegrafi/