Z Mobile Prishtina do të nis një aventurë të re në kuadër të FIBA Europe Cup.
Basketbollistët prishtinas do të paraqiten sonte në fazën e dytë të kësaj gare evropiane për klube.
“Plisat” do të jenë mysafirë të skuadrës gjermane të S.Olivier Wuerzburg dhe klubi ynë u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve ta mbështesin klubin e vendlindjes së tyre.
“Të dashur bashkatdhetarë që jetoni në Gjermani, ju ftoj që të mërkurën të na mbështetni dhe me ndihmën e juaj shpresoj se do t’ia dalim dhe do të fitojmë”, ka thënë ndër të tjerash Fisnik Rugova.
Theksojmë se kjo është ndeshja e parë e fazës së dytë, aty ku janë edhe 16 ekipet më të mira në katër grupe ndërsa takimi i sotëm do të startojë në ora 19:00.
Kujtojmë se Prishtina fazën e parë e përfundoi me katër fitore dhe dy humbje, ashtu sikurse edhe S. Oliver Wuerzburg.
Ndryshe, në grup me nënkampionët e Kosovës janë edhe Szolnoki Olaj (Hungari) e Pinar Karshiyaka (Turqi). /Telegrafi/