Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Besës në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Superligën e Kosovës.
Kryeqytetasit kanë vazhduar serinë pozitive dhe fitoret edhe në ndeshjen ndaj Besës, duke fituar me rezultat të thellë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe shumë raste të Prishtinës, e cila arriti t’i shënojë edhe tri gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 14-të minutave lojë dhe ishte Leonit Abazi, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Endrit Krasniqit.
Në minutën e 21-të ishte asistuesi i golit të parë, E.Krasniqi, i cili shënoi për 2-0, ndërsa në minutën e 29-të ishte Leotrim Kryeziu që shënoi për 3-0.
Në pjesën e dytë, përsëri ishte Prishtina më e mirë dhe me më shumë raste, por ishin mysafirët që shënuan të parët.
Besa arriti të kthehet në lojë në minutën e 48-të duke ngushtuar epërsinë në 3-1 me anë të Donart Sheqerollit, por kjo nuk i ndihmoi aspak në vazhdimin e lojës.
Pas këtij goli, Prishtina mori kontrollin e lojës në dorë duke shënuar në minutën e 69-të me anë të Gauthier Mankenda për 4-1 dhe të riun Albin Prapashtica (83′) për 5-1, i cili doli të ishte rezultati përfundimtar.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e parë me 50 pikë po aq sa ka Drita e dyta me një ndeshje më pak, ndërsa Besa zë vendin e fundit me vetëm shtatë pikë.
Në ndeshjen e radhës, kryeqytetasit udhëtojnë të Feronikeli, ndërsa pejanët e presin Llapin. /Telegrafi/