Telegrafi

Prishtina fiton me rezultat bindës ndaj Vushtrrisë

Prishtina e ka mposhtur Vushtrrinë në kuadër të javës së shtatë në Ipko Superligën e Kosovës me rezultat 0-3.

Kjo njëherësh është ndeshja e tretë që bardhë e kaltrit e fitojnë nën urdhrat e ish-lojtarit të tyre, që tani është kryetrajner, Armend Dallkut.

Goli i parë për Prishtinën e realizoi Alban Shillova pas vetëm dy minutash lojë nga një asistim fantastik i Leonit Abazit.

Kryeqytetasit ishin shumë me fat në fund të pjesës së parë, pasi Nertil Hoxha (42’) shënoi auto-gol, duke bërë që ‘Plisat’ të shkonin në pushim me dy gola epërsi.

Pjesa e dytë ishte përsëri e dominuar nga Prishtina, që realizuan edhe golin e tretë me anë të Armend Thaqit në minutën e 57-të.

Vushtrria tentoi disa herë që ta rrezikonte portën e mysafirëve, mirëpo Visar Bekaj nuk lejoi që të befasohej nga lojtarët kundërshtar.

Pas javës së shtatë, Prishtina është në vendin e pestë me 13 pikë, derisa Vushtrria është në të 11-in me pesë sosh. /Telegrafi/