Telegrafi

Prishtina fiton në penallti trilerin me Feronikelin dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Feronikeli dhe Prishtina kanë luajtur baras 0-0 gjatë 90 minutave lojë dhe me këtë rezultat u mbyllen edhe dy vazhdimet nga 15 minuta në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës. Në penallti më të saktë ishin kryeqytetasit duke fituar (2-4) dhe duke siguruar kalimin në gjysmëfinale.

Ndeshja e parë disa ditëve në kampionat përfundoi me fitoren e Feronikelit me rezultat 2-0, ndërsa në kuadër të Kupës fitoi Prishtina pas ekzekutimit të penalltive.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta, por shifrat mbeten të pandryshuara.

Feronikeli gjeti golin me anë të Marko Simonovskit (20’), por u anulua për pozitë jashtë loje, ndërsa Leonit Abazi (30’) dështoi të shënojë nga më pak se një metër.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e barabartë, por me ekipet që krijuan më shumë raste dhe zhvilluan lojë më të hapur, edhe pse më agresive.

Vendasit rrezikuan me anë të Mendurim Hotit (50’, 70’) dhe Besmir Bojkut (72’), por pa pasur sukses, ndërsa Prishtina provoi pas sukses me anë të Endrit Krasniqin (55’, 76’) dhe Leutrim Kryeziu (82’).

Kështu, pas 90 minutave lojë portat mbeten të paprekura dhe ekipet u desh të kërkojnë kualifikimin me anë të dy vazhdimeve nga 15 minuta.

Prishtina kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Vazhdimet ishin pa shumë aksion, pasi dy ekipet donin të mos humbnin dhe rasti më i mirë i takoi mysafirëve të cilët me anë të Kryeziut (93’) goditën traversën dhe pas 120 minutave lojë takimi u mbyll 0-0 dhe ekipet shkuan në penallti.

Në penallti më të saktë u treguan lojtarët e Zekirija Ramadanit duke fituar me rezultat 4-2.

Te Prishitna të saktë ishin Besnik Krasniqi, Tun Bardhoku, Lumbardh Dellova dhe Sabien Lilaj, ndërsa i pasaktë Endrit Krasniqi, teksa te vendasit shënuan Simonovski e Argjent Malaj, ndërsa humbën Jean Carioca dhe Besmir Bojku. /Telegrafi/