Telegrafi

Prishtina fiton me lehtësi te Vushtrria dhe merr kreun në Superligën e Kosovës

(Foto: FC Prishtina)

Prishtina ka shënuar fitore pa shumë vështirësi 0-2 në udhëtim te Vushtrria në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Klubi kryeqytetas ka vazhduar serinë pozitive duke marr edhe fitoren e tretë me radhë që nga rikthimi i futbollit, ku një fitore erdhi nga Drenica në Kupë dhe një tjetër në kampionat ndaj Ferizajt.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të prishtinasve, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 11-të me anë të Otto John, i cili shënoi me kokë për 0-1, ndërsa i njëjti shënoi edhe në minutën e 35-të për 0-2.

Në pjesën e dytë, Prishtina arriti të menaxhoj mirë lojën dhe duke mos rrezikuar lojtarët mbrojti rezultatin dhe mori fitoren e radhës në kampionat.

 

Me këtë fitore, kryeqytetasit marrin pozitën e parë në tabelë me 47 pikë apo një pikë më shumë se Drita e dyta me 46, ndërsa Vushtrria renditet e 11-ta me 16 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Prishtina e pret në shtëpi Dukagjinin, teksa Vushtrria udhëton te Gjilani. /Telegrafi/