Finalja e DigitAlb Kupës së Kosovës përfundoi dhe Prishtina arriti të fitojë në penallti ndaj Vëllaznimit.
Kjo ishte kupa e gjashtë në histori për klubin nga kryeqyteti i Kosovës.
Pjesa e parë nisi më mirë për Vëllaznimin, të cilët rrezikuan me anë të Lekë Vula (2′) dhe Dardan Rogovës (8′), por goditjen e të parit e priti Visar Bekaj, ndërsa i dyti gjuajti mbi portë.
Pas këtyre dy rasteve Prishtina u kthye në lojë duke rrezikuar me anë të Mërgim Pefqelit (12′), goditja e të cilit u prit nga portieri Altik Muhaxhiri.
Në minutën e 21-të erdhi goli për prishtinasit, të cilët shënuan me anë të Basid Khadil, që shënoi me kokë për epërsinë 0-1.
Deri në fund të pjesës së parë pati edhe shumë raste për të dyja skuadrat, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat.
Në pjesën e dytë, gjakovarët ishin më të mirë, duke rrezikuar me Vulën (47′) dhe Besnik Krasniqin (55′), por pa arritur ta gjejnë golin.
Në minutën e 59-të, Ahmed Januzi shmangu bukur portierin Muhaxhiri, por Albaban Dragusha evitoi golin e sigurt.
Në minutën e 62-të, Richard Asare (Vëll) godet traversën me kokë pas harkimit të Jeton Dushit.
Kur loja po shkonte drejt fundit ishte Rogova (79′), i cili përfitoi nga një gabim i portierit Visar Bekaj dhe barazoi rezultatin 1-1 dhe me këtë rezultat përfundoi loja e rregullt dhe skuadrat shkuan në vazhdime.
Në vazhdime skuadrat tentuan të shënojnë, por nuk u treguan konkrete para portave kundërshtare dhe kështu fituesi kërkohet në penallti.
Në penallti fitoi Prishtina me rezultat 4-5, ku penalltinë e fundit e shënoi Arbër Hoxha. /Telegrafi/