Prishtina ka fituar derbin e javës së 18-të në Superligën e Kosovës ndaj Ballkanit.
Kryeqytetasit kanë triumfuar në frymën e fundit me rezultat të ngushtë 2-1.
Për të parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e parë shtesë e pjesës së parë, kur Otto John realizoi pasi kaloi bukur portierin Rugji për 1-0.
Megjithatë pa u kryer pjesa e parë, kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha shënoi me kokë për të barazuar shifrat në 1-1.
Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.
Edhe pjesa e dytë u karakterizua me raste të mira shënimi, ku më të mirin e pati Otto John i cili goditi shtyllën pasi kaluan një orë lojë.
Meriton Korenica rrezikoi nga gjuajtja e lirë, por goditja e tij u prit me shumë mund nga Eglant Haxho.
Në minutën e fundit, Leutrim Kryeziu u pengua në zonë nga Arbër Potoku dhe gjyqtari Tefik Maloku akordoi penallti për Prishtinën.
I saktë nga pika e bardhë u tregua mbrojtësi Besnik Krasniqi që me golin e tij i siguroi fitoren Prishtinës 2-1.
Me këto tri pikë, Prishtina mbetet në vendin e tretë në tabelë, por që tani ka 31 pikë, tetë më pak se lideri Drita që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Prishtina javën e ardhshme do të jetë nikoqir i Dritës në kryeqytet, teksa Ballkani do të pres Gjilanin. /Telegrafi/