Site icon Telegrafi

Prishtina fiton bindshëm ndaj Rahovecit

photo by: @Shpend Ahmeti

Sigal Prishtina ka shënuar fitore të pritur, duke mundur Rahovecin me rezultat 97:75 (27:19, 19:19, 24:22, 27:15), në xhiron e 27-të të Prince Caffe Superligës.

Vendasit më mirë e nisën ndeshjen me epërsi prej 13:5, por Vreshtarët u rikthyen shpejt për të barazuar shifrat në 16:16, megjithatë, prishtinasit u treguan sërish më të mirë, duke e fituar çerekun e parë 27:19.

Mysafirët sërish u rikthyen në periudhën e dytë, për të afruar rezultatin në 36:34, por kryeqytetasit në fund ishin më të mirë për të shkuar në pushim me rezultat 46:38.

Epërsia e vendasve u rrit edhe më shumë në periudhën e tretë, që shkoi deri në 16 pikë, 60:44, sidoqoftë skuadra mysafire nuk dorëzohej, duke e bërë të paqartë fituesin e kësaj përballje, ku shifrat pas 30 minutash ishin 70:60.

Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, Prishtina nuk lejoi befasi dhe ngriti epërsinë për të triumfuar bindshëm 97:75.

Te vendasit u dalluan Nate Grimes me 18 pikë e dhjetë kërcime dhe Both Gach me 20 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime, kurse te mysafirët u dalluan Igor Chumakov me 22 pikë e nëntë kërcime dhe Jack Pagenkopf me 19 pikë, katër kërcime e tre asistime.

Sigal Prishtina tani numëron 20 fitore e gjashtë humbje, kurse Rahoveci katër fitore e 23 humbje.

Exit mobile version