Ekspedita e futbollistëve ka zbritur dje në stadium, derisa ra në sy mungesa e Azem Ahmetit, i cili ende nuk ka arritur marrëveshje me klubin për ta vazhduar kontratën apo jo. Më herët dihet se janë larguar Mirsad Idrizi, Sead Miftari e Flamur Shala.
“I kemi 2 muaj para vetes që të përgatitemi siç është më së miri për të arritur objektivat tonë. E dimë se do të jetë një mision i vështirë, 10 pikë janë shumë, por jo edhe të paarritshme. Ajo që duhet thënë është se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe kjo na mundëson të punojmë si është më si miri”, tha kapiteni i skuadrës Driton Krasniqi duke karikuar më pas bashkëlojtarët e tij.
“Askush nuk dyshon se do të arrijmë qëllimin tonë e i cili është titulli i kampionit. Ne jemi të vetëdijshëm se për këtë duhet shumë punë, por të gjithë jemi të gatshëm të japim 200 për qind për të arritur këtë objektiv”, tha Krasniqi, duke folur më pas edhe për fondin e ekipit.
“Po e shihni se nuk ka shumë ndryshime. Deri më tash e kemi marrë vetëm një lojtar, dhe them se na duhen së paku edhe një ose dy lojtarë cilësorë. Sigurisht ardhja e lojtarëve cilësorë e rrit konkurrencën në ekip dhe kjo është e mirë për skuadrën”, përfundoi Krasniqi.
Në stërvitjen e parë të pranishëm ishin dy fytyra të reja. Shkëmbim Salihu i ardhur nga Ferizaj, dhe mbrojtësi Akil Makolli që në 6 mujorin e fundit luajti të Hajvalia. Salihu ishte i kënaqur me pritjen e shokëve dhe i lumtur që do të luajë në një ekip siç është Prishtina.
“Gjithçka po shkon ashtu siç kam parashikuar. Po ndihem mirë këtu dhe shokët më kanë pritur siç duhet”, tha Salihu, duke mos hyrë shumë në detaje nëse ky ekip ndryshon nga skuadrat tjera.
“Sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një ekip shumë profesional, por nuk kisha me përmend ndonjë ndryshim. Për mua me rendësi është të punoj shumë dhe të luftoj për një vend titullar në skuadër”, tha sulmuesi, duke shtuar se shokët e skuadrës e kanë njoftuar se këtu luftohet vetëm për trofe.
“Këtu s’ka objektiva tjerë, është vetëm një, ai i titullit të kampionit dhe kjo është arsyeja që këtu punohet maksimalisht pasi që synimet janë maksimale”, përfundoi Salihu.
Ajo që u pa qysh në stërvitjen e parë ishin rregullat e reja që kishin sjellë drejtuesit e klubit. Futbollistët më nuk kanë të drejtë të japin asnjë deklaratë për media përmes telefonit apo rrjeteve sociale. Madje Salihut iu desh t’ i shpjegohet edhe njëherë situata pasi që nuk e kishte të qartë.
“Nuk e di nëse kam të drejtë të flas më gazetarë”, na tha Salihu, mirëpo shokët e tij ia shpjeguan se në stadium mund të flasë me kënd të dojë.
Në anën tjetër vërehej një mobilizim maksimal edhe te shtabi teknik i Prishtinës në krye me Afrim Tovërlanin dhe bashkëpunëtorët Ali Osmani, Fadil Berisha e Bahri Berisha, të cilët duket se më nuk do t’i lejojnë rastit asgjë dhe se për çdo mosdisiplinë do të marrin masa. /Zëri/Telegrafi/