Site icon Telegrafi

Prishtina i falet kapitenit, triumfon me rezultat minimal përballë Dritës

Prishtina ka triumfuar në derbin e javës së 11-të në elitën e futbollit kosovar, ku ka mposhtur Dritën me rezultat minimal 1-0.

Ndeshja nisi qetë me dy skuadrat që nuk rrezikonin shumë.

E rasti i parë në këtë takim u pa në minutën e 17-të dhe i takoi vendasve.

Ishte Meriton Korenica që gjuajti fuqishëm nga ndërprerja por fillimisht intervenoi Tofiloski e pastaj topi u ndal nga shtylla.

Prishtina ishte më e rrezikshme dhe pati edhe dy mundësi tjera në 45 minutat e para me Ergyn Ahmetin e Armend Thaqin, por që asnjëri nuk arritën të shënonin gol.

Kësisoj 45 minutat e para të derbit përfunduan ashtu siç filluan pa gola 0-0.

Edhe pjesa e dytë ishte në favor të prishtinasve, të cilët rrezikuan me Korenicën, por që goditja e tij u prit nga Tofiloski.

Gauthier Mankenda e Ardit Hila patën raste të tjera shënimi, por pa sukses.

E goli i shumëpritur për vendasit erdhi në minutën e 82-të, kur Mankenda asistoi për mrekulli te Thaqi i cili shënoi në portën e zbrazët për 1-0.

Thaqi kishte një rast tjetër për ta ngritur epërsinë në 2-0, por gjuajti jashtë portës i vetëm përballë portierit mysafir.

Drita tentoi të shënonte golin e barazimit në minutat e mbetur, por një gjëje të tillë nuk ia arritën.

Me këtë fitore Prishtina ngjitët në pozitën e katërt në tabelë me 20 pikë të tubuara, një më pak se Drita e pozitës së tretë dhe katër më pak se lideri Gjilani.

Prishtina në takimin e ardhshëm do ta luaj derbin kryeqytetas ku përballë ka Flamurtarin dhe luan përsëri në stadiumin Fadil Vokrri.

Ndërkohë Drita do të luaj përsëri në udhëtim, pasi luan tek fqinjët e Ferizajt. /Telegrafi/

Exit mobile version