Telegrafi

Prishtina e Ramadanit zyrtarisht në krizë, Drenica ia shkakton humbjen e tretë radhazi

Drenica ka fituar ndaj Prishtinës me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë në Superligën e Kosovës.

Klubi nga Skenderaj ka marrë edhe fitoren e dytë radhazi nën urdhrat e trajnerit Bledar Devolli, pasi pas Trepçës ’89 ka mposhtur edhe Prishtinën.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të qetë dhe thuajse të barabartë, pa raste shumë të pastra shënimi.

Rasti i vetëm që vlen të përmendet është ai i minutës së 41-të kur Otto John kaloi portierin Arion Ymeri, por Azem Bejta ia largoi topin nga këmbët duke ia pamundësuar shënimin.

Në pjesën e dytë, Prishtina krijoi më shumë dhe pati menaxhimin, por golin e shënuan vetëm vendasit.

Drenica arriti të shënojë gol pas 60-të minutave lojë me anë të talentit Egzon Fazliu, i cili shënoi me parabolë për 1-0 pas gabimit të portierit mysafir.

Prishtina provoi me Gledi Micin (55’), Endrit Krasniqin (79’), Lorik Boshnjakun (82’), por pa arritur ta tundin rrjetën dhe Drenica fitoi në fund.

Pas kësaj fitore, Drenica e sheh veten në pozitën e pestë me 14 pikë, ndërsa Prishtina e gjashta me 11 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Prishtina e pret Arbërinë, ndërsa Drenica udhëton te Besa. /Telegrafi/