Site icon Telegrafi

Prishtina e Prizreni me ‘kryetarët në pritje’

Të enjten pritet që të përfundojë numërimi i votave me kusht, vota këto përcaktuese për shpalljen e fitueseve në garën e balotazhit, për kryetarë të komunave, sidomos në Prishtinë dhe Prizren, ku kandidatët kanë dallime të vogla në vota.

Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve dhe të numërimit të votave, kërkojnë nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) të jetë sa më transparente në numërim.

Albert Krasniqi, nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, kërkon transparencë në mënyrë, siç thotë ai, që partitë politike të mos kontestojnë më pas rezultatin.

“Në rast se shohin që ka parregullsi, të mund t’i dorëzojnë përmes kanaleve zyrtare, pra t’i dorëzojnë ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e jo që publikisht të ankohen për rezultate”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), numri i përgjithshëm i votave me kusht, atyre me postë dhe personave me nevoja të veçanta, është rreth 12 mijë.

Koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, thotë se numërimi i këtyre votave pritet të përfundojë të enjten dhe që procesi i numërimit do të jetë transparentë.

Në komunat e Prishtinës dhe të Prizrenit, votat me kusht pritet të përcaktojnë kryetarët e ardhshëm. Në Prishtinë, ka 1824 vota, derisa në Prizren 1637 vota që pritet të numërohen.

“Faktikisht ne do të kryejmë proceduralisht të gjitha punët sot, në mënyrë që nesër të kemi rrugën e hapur për të filluar numërimin e votave më kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Njëkohësisht do të numërohen edhe votat më postë, dhe për secilën komunë do t’i numërojmë në të njëjtën kohë të gjitha këto vota. Po ashtu nesër pritet që të përmbyllet ky procesi ”, tha Ahmetaj.

Ndryshe, partitë politike e kanë konsideruar të pakuptimtë zvarritjen e numërimit të votave me kusht. Ato kanë dorëzuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është në garë ende për postin e kryetarit të Prishtinës, ka kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit.

Mul Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it, tregon se afati ligjor për vendosjen e këtyre ankesave është deri të enjten në orën 19:00.

“Gjithsej janë paraqitur 10 ankesa, dy i ka paraqitur Alternativa, katër ankesa i ka paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës, tre ankesa Partia Demokratike e Kosovës dhe një ankesë Lëvizja Vetëvendosje”, thotë Desku.

Por, Albert Krasniqi, shprehet se rinumërimi i të gjitha kutive të votimit pa fakte dhe argumente të qëndrueshme, nuk mund të sjellë ndonjë rezultat të ri, përveç humbje kohe.

“Kështu që partitë duhet të rezervohen nga komentet politike, dhe të fokusohen nëse kanë fakte, të dorëzojnë ankesa për ato që i konsiderojnë se ka pasur parregullsi ose ka pasur pretendime për të ndikuar në rezultate”.

“Pra, gjithçka është mirë që të shkojë përmes kanaleve zyrtare, fakteve, argumenteve dhe jo kontestimeve të cilat janë vetëm për qëllime politike, për shkak se nuk i kontribuojnë procesit”, thotë Krasniqi.

Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,14 për qind të votave, ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,86 për qind të votave.

Kurse në Prizren, kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind, ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 për qind të votave.

Numërimi i votave më kusht teorikisht ka mundësi që të sjellë ndryshime në rezultate, thotë Krasniqi.

“Teorikisht numërimi i fletëvotimeve të cilat do të numërohen është më i madh se sa diferenca e votave të kandidatëve, atëherë mundësitë teorike ekzistojnë për ndryshim të rezultateve. Mirëpo, duhet pritur dhe numëruar ato për të parë se i ka qenë vullneti i votuesve që kanë votuar me kusht”, thotë Krasniqi.

Përderisa Prishtina dhe Prizreni, si dy qytetet më të mëdha, mbeten në pritje të përmbylljes së procesit të numërimit të votave me kusht, në përgjithësi rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve. /REL/Telegrafi/

Exit mobile version