Sigal Prishtina ka pësuar humbjen e dytë këtë sezon. Pas startit të dobët në Superligë, humbje kampionët pësuan edhe në Ligën Ballkanike nga Beroe me rezultat 86-71.
Sigal Prishtina hyri në këtë takim me të gjithë lojtarët e transferuar këtë edicion, pas ndryshimeve të mëdha në skuadër.
Ekipi megjithëse më i plotë se ndaj Bashkimit, e kishte të vështirë komponimin dhe kjo u vërejt nga minutat e parë.
Pas një çereku të parë që shkoi me intervale pozitive për dyja skuadrat, gjithçka u vendos në çerekun e dytë.
Në këtë periudhë Beroe rriti agresivitetin në mbrojtje, ishte vigjilente në kapjen e topave, teksa pikët vinin kryesisht nga vija e tri pikëshit dhe kundërsulmet e shpejta.
Kjo bëri që epërsia e vendasve të shkonte në 10 pikë.
Vendasit e zgjeruan epërsinë duke përfunduar pjesën e parë me 11 pikë.
Seria pozitive për Beroen vazhdoi në pjesën e dytë, kur epërsia edhe u thellua dhe shkoi deri në 20 pikë për Beroen, duke dëshmuar se ekipi ka nevojë të komponohet.
Ndeshja përfundoi me rezultat 86-71, me pesëmbëdhjetë pikë disavantazh.
Vendasit shënuan plot 12 treshe, kurse Prishtina realizoi shtatë treshe nga 21 tentime, gjashtë prej të cilave i shënoi qendra Bojan Trajkovski.
Gibson ishte më i miri i takimit me 24 pikë dhe pesë asistime, pasuar nga Tesija me 22 pikë dhe 3 asistime, kurse pikë dyshifrore te Beroe realizuan pesë basketbollistë.
Te Prishtina më i miri ishte pa dyshim Bojan Trajkovski me 22 pikë dhe pesë kërcime, kurse pas tij u mundua Rhetti me 14 pikë e 9 kërcime.
Prishtina kështu e nisë me humbje Ligën Ballkanike edhe pse është kampione.
Prishtina do të kompletojë startin e vështirë prej tri udhëtimeve në javën e parë të sezonit këtë të shtunë kur i shkon rivales së përbetuar, Pejës, në Karagaç. /Telegrafi/