Prishtina e ka mposhtur Llapin në kuadër të javës së 31-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll. Bardhekaltrit fituan ndaj llapjanëve me rzultat të ngushtë, 1-0.
Pjesa e parë solli një moment frike në stadiumin “Fadil Vokrri”, si pasojë e një lëndimi mjaft serioz të Valmir Veliut. Futbollisti i Llapit pësoi një tronditje nga përplasja me Diar Myftarajn dhe nxiti frikë te lojtarët, stafi dhe gjithë tifozët.
Në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” hyri edhe autoambulanca, me të cilën më pas Veliu u transportua drejt emergjencës, por që aktualisht gjendja e tij është e mirë.
Pjesa e dytë filloi me një kujdes edhe më të shtuar nga të dyja skuadrat, por që Prishtina filloi dalëngadalë ta marrë dominimin e ndeshjes.
Ishte Mërgim Pefqeli, ai që i kaloi kryeqytetasit në epërsi, duke shënuar golin e vetëm në ndeshje në minutën e 88-të.
Tifozët e të dy skuadrave dhuruan një atmosferë të zjarrtë, gjersa vendosën edhe një numër rekord të shikueshmërisë.
Rreth 10.500 tifozë ishin të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, që njëherësh është edhe numër rekord për këtë sezon në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Pas xhiros së 31-të, Prishtina është rikthyer në vendin e dytë me 72 pikë, dy më pak se Feronikeli që është në vend të parë dhe dy më shumë se Llapi, që është në vend të tretë. /Telegrafi/