Sigal Prishtina po vazhdon me formën e saj të mirë. Bardhekaltërit pas fitores historike ndaj Kumanovës në Ballkan Ligë, kësaj radhe e mposhtën me lehtësi ekipin e Besës.
Pejanët vetëm në çerekun e parë ishin deri diku rivalizues për Prishtinën, derisa kjo e fundit u shkëput në rezultat në çerekun e dytë dhe më pas e mbajti atë deri në fund të takimit.
Më i dalluari në ndeshje ishte qendra K’Zell Wesson, i cili luajti me double-double duke realizuar 19 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa më së shumti u ndihmua nga kapiteni prishtinas, Edmond Azemi, me 15 pikë.
Në anën tjetër, Kevin Dukes dhe Dimitry Sviridov, të cilët shënuan nga 13 pikë, së bashku me bashkëlojtarët e tyre, mbetën larg pritjeve të trajnerit Boris Kurtovic.
Kjo është fitorja e katërt e Prishtinës në po aq ndeshje në Superligë, kurse Besa vazhdon të mbetet skuadra e vetme pa shënuar fitore. /Borozani/Telegrafi/