Kontejnerë të shumtë në kryeqytetin e Kosovës janë mbuluar nga mbeturinat. E për këtë çështje qytetarët po ankohen ndaj kompaninë “Pastrimi” që nuk po i mbledh me kohë, ndërsa kompania dhe komuna e Prishtinës kanë thënë se qytetarët janë të pakujdesshëm.
Komuna ka një master plan për këtë çështje dhe në këtë janë parapara numri i kontejnerëve, lloji, modeli dhe numri i kamionëve. Po ashtu Komuna e Prishtinës është në proces të diskutimit dhe projektimit të grantit prej 73 milionë euro për zgjidhjen e përhershme të problemit me mbeturina.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu tha se komunë sfidën më të madhe e ka me ndërmarrjen regjionale “Pastrimi”, për të cilën thekson se nuk e kanë gjetur në gjendje aspak të mirë.
Ai thotë se shërbimet të cilat i jep kompania në fjalë nuk janë ato shërbime që i pret komuna dhe qytetarët e Prishtinës.
“Ne fillimisht sfidën më të madhe e kemi pasur me ndërmarrjen regjionale ‘Pastrimi’ të cilën e kemi trashëguar në gjendje aspak të mirë, realisht këtë e kemi trashëguar buzë falimentimit, andaj nuk ka qenë e lehtë me u stabilizu. Fillimisht ndërmarrja ‘Pastrimi’ nuk është në formë apo në situatën më të mirë të mundshme. Shërbimet të cilat i jep nuk janë ato shërbime që i presim edhe ne si komunë. Edhe qytetari i Prishtinës pret me pas një shërbim cilësor të nivelit shumë më të lartë, të cilin jemi duke e jep tani për momentin ..
Në bazë të këtij master-plani kemi parapa edhe nevojat të cilat i kemi si kryeqytet, numrin e kontejnerëve, llojin, modelin, numri i kamionëve i cili na duhet për me shërbyer në kryeqytet. Në të njëjtën kohë, puna më e mira, më e madhja është bërë me KFW me të cilën jemi në proces të diskutimit dhe projektimit të grantit prej 73 milionë euro, të cilin mendojmë që ka me i dhënë zgjidhje të përhershme problemit me mbeturina, duke ditur faktin që është një projekt më afatgjatë 5 apo 6 vite, mirëpo është një projekt i cili do të trajton çdo problematikë, e që në këtë rast në dy vitet e para do të trajton problemet të cilat i kemi më të nevojshëm”, thekson Musliu.
Zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnore Ademi përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se kompania “Pastrimi” ka kapacitet teknik të kamionëve, mirëpo atë që e ka aktualisht është i amortizuar, sepse të njëjtit bëjnë grumbullimin dhe largimin e mbeturinave gjatë 24 orëve pa ndërprerë në të gjitha lagjet përgjatë shtatë ditëve të javës.
“Si pasojë e defekteve të kamionëve në teren që ndodhin kohe pas kohe, është e mundshme që të ketë vonesa të cilat sigurisht që korrigjohen më pastaj, për të vazhduar tutje me shërbimin e largimit të mbeturinave në vazhdimësi. Përndryshe, kompania e ka Planin Operativ të grumbullimit te mbeturinave te cilin e respekton me përpikëri. Sfidat që zakonisht kemi janë parkimi i veturave, hedhja e mbeturinave inerte dhe të vëllimshme para kontejnerëve, dëmtimi i kontejnerëve dhe djegia e tyre etj”, thekson Ademi në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, qytetarët ankohen për kompaninë ‘Pastrim’ për mosmenaxhimin e mbeturinave në mënyrë efikase.
“Po si s’na pengojnë, duhet të pastrohen, të tërhiqen me kohë , mos të rrinë me kohë të gjata nëpër kontenjera. Nuk ka ndoshta gjysmë ore që i mblodha, i bëra tubë që të vijnë ata me i marrë, por nuk vijnë. Edhe kur vijnë, sikur po punon ai njeriu me duar të huaja, po i mbledh vetëm gjysmën e tyre, e gjysmën tjetër pastaj era i bart poshtë e lartë”, theksoi qytetari Mirsad Krasniqi.
Ndërsa një qytetar tjetër tha se faji më së shumti është tek qytetarët që po hedhin mbeturina vend e pa vend, dhe kështu sipas tij, është problem që të mbahet pastërtia.
“Po sigurisht që po na pengojnë, por nuk është problemi i këtyre që e pastrojnë, çka është problemi edhe i joni, realisht nëse dy vetë pastrojnë e njëzet gjuajnë është problem me mbajt pastërtinë. Na mungon kultura, realisht me qenë më të kujdesshëm, mos me gjuajt, e kështu i ndihmojmë vetës dhe pastrimit, që të kemi një qytet më të pastër, dhe besoj që kishim kaluar më mirë…Është pasqyrë e jona, kushdo që vjen nga jashtë, me e pa që na ku jemi, çka jemi kush jemi, besoj që është një punë që rregullohet, por duhet me qenë më të kujdesshëm”, thekson ai.
Po ashtu Vesel Berisha tha se në Prugovc në fshatin ku jeton ai, kompania “Pastrimi” nuk është duke i grumbulluar mbeturinat dhe se sipas tij, në përgjigjen e tyre ‘ata kanë thënë që nuk kanë automjete’.
“Po na pengojnë… unë jam nga një fshat në periferi, dhe kohën e fundit nuk janë duke ardhur me i mbledhë mbeturinat, arsyen nuk e di ata po thonë sipas komunikimit tim dhe informatave na thonë që nuk kanë automjete, ‘nuk kemi mjete’ kështu që edhe tek fshati im kemi problem në Prugovc”, shtoi Berisha.
Drejtori Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, shtoi po ashtu se është ndarë një buxhet diku rreth dy milionë euro ndërmarrjen “Pastrimi” me qëllim që flota e tyre të përmirësohet, dhe gjithsesi të ketë edhe një shërbim më të mirë për qytetarët.
“Ne kemi nda një buxhet prej 400 mijë euro, buxhet i cili është në procedurë, presim që deri në fund të muajit nëntor të përmbyllet si procedurë. Ndërsa, investimi tjetër i cili është më shumë i rëndësishëm diku vlera prej 1.5 milionë euro të cilin e kemi ndarë për blerje të kamionëve.
Mos të harrojmë që është hera e parë që komuna e Prishtinës e bënë një investim të tillë dhe direkt në ndërmarrjen ‘Pastrimi’, ndaj po presim që edhe kjo deri në fund të vitit të përmbyllet si proces, dhe deri në fund të vitit t’i kemi kamionët për ndërmarrjen, por në të njëjtën kohë të kemi edhe kontejnerë. Pra, po flasim diku për një investim diku rreth dy milionë euro të cilin po e bëjmë direkt me ndërmarrjen me qëllim që flota e tyre të përmirësohet, e me këta nënkuptojmë pastaj gjithsesi edhe një shërbim më të mirë për qytetarët”, theksoi ai.
Ai gjithashtu tha se projekti i vendosjes së kamerave ka dështuar, por sipas tij pritet që në vitin e ardhshëm të vendosen ato. Sipas tij, parashihet të ketë gjoba ndaj qytetarëve që do të hedhin mbeturina në rrugë. E këto gjoba, ai tha se do të jenë të larta.
“Projekti i kamerave ka dështuar, mendojmë që në fillim të vitit të ardhshëm të bëjmë një thirrje për kamerat…
Në menaxhim të mbeturinave dhe gjobat do të jenë të larta, dhe pastaj me Rregulloren e re, e cila parashihet që në këtë seancë të nëntorit, të jetë gati për asamblist për votim, aty parashohim me një aneks disa gjoba, të cilat fillojnë varësisht prej shkeljeve të cilat bëhen, por e mira është që do të ketë gjoba, edhe përkrahje shumë më të madhe prej inspeksionit, duke ditur që në këtë problematikë, po e them me keqardhje mirëpo një përqindje të madhe participojnë qytetarët, duke ditur që po hedhin mbeturina vend e pa vend. Ne kemi tentuar me bo disa herë orar për mbeturinat ndërtimore dhe vëllimore por që nuk janë respektuar prej qytetarëve”, tha ai.