Kontingjenti i Prishtinës është nisur të premten drejt Austrisë, me synim që ta kërkojë mrekullinë në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë të EHF Cup ndaj ekipit Bregenz.
Bardh e kaltrit u mposhtën në shtëpi me rezultat 22:28 javën që shkoi, ndërsa të shtunën do ta japin atomin e fundit për ta përmbysur eventualisht rezultatin nga ndeshja e parë.
Trajneri Taip Kabashi bëhet realist duke e pranuar se prishtinasit i pret një punë e vështirë, por nuk pranon që në Austri të shkojë me flamur të bardhë.
“Nuk do të thosha që janë shuar gjasat, por mund të them se ato janë minimale. Duhet të jemi real pasi që Bregenzi ka një ekip të fortë dhe me përvojë, pastaj është përforcuar me 5-6 lojtarë nga jashtë. Kurse ne i kemi të gjithë lojtarët e rinj dhe vendorë”, tha fillimisht trajneri mitrovicas për Express.
“Do të shkojmë atje të luajmë hendboll, do të angazhohemi në maksimum dhe të shohim në fund se deri ku mund të arrijmë. Do të koncentrohemi dhe të mundohemi t’i befasojmë, pasi në hendboll kurrë nuk i dihet. Nëse luajmë si në pjesën e parë që e bëmë në duelin e parë, mund të jemi kundërshtar i fortë për ta. Nuk shkojmë me flamur të bardhë atje”, vijoi Kabashi.
Ndeshja ndërmjet Bregenzit dhe Prishtinës do të zhvillohet të shtunën mbrëma, duke filluar nga ora 19:00. Bardh e kaltrit janë ekipi i parë kosovar që luan sivjet në kupat evropiane. /Express/Telegrafi/