Halil Sylejmani në emër të këtij këshilli ka folur rreth përgatitjeve që po bëhen për organizimin e garës më të madhe sportive, me karakter ndërkombëtar që mbahet në Kosovë.
Sylejmani ka falënderuar Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, duke e konsideruar si partnerin kryesor nga i cili varet mbarëvajtja dhe imazhi i kësaj gjysmëmaratone.
Sipas Sylejmanit, 13.880 euro do të jenë të dedikuara vetëm për shpërbllime, ku çmimet kryesore janë për pozitat e para te meshkujt e femrat nga 1,200 euro.
Në emër të Departamentit të Sportit në kuadër të MKRS-së, ka folur Afërditë Fazliu, e cila theksoi rëndësinë e kësaj gare, duke kontribuar që përmes këtij aktiviteti të prezantohen vlerat e Sportit në vendin tonë.
Sipas Fazliut, nga 7,000 Euro, ndër vite përkrahja e MKRS-së është rritur në 15,000 Euro, sa do të jetë shuma që do të japë kjo ministri për edicionin e sivjemë.
Bashkëpunimin mes Federatës së Atletikës së Kosovës dhe Fakultetit të Shkencave Sportive, e ka përshëndetur edhe dekani i këtij fakulteti Skënder Krasniqi, derisa e pranishme në konferencë ishte edhe përfaqësuesja e organizatës Together Kosova Trina Xheladini, e cila me financim të Ambasadës Norvegjeze do të përkrahë vrapimin e të rinjëve.
Përvec garës kryesore në 21 km, edhe sivjet do të jetë vrapimi në 5 km, vrapimi i shkollarëve të rinjë në 2 km dhe ai i personave me aftësi të kufizuara 1 km.
Gjysmëmaratona e Prishtinës do të mbahet më 11 Maj nga ora 10:00, kurse regjistrimi do të fillojë nga 3 Maji. /Sporti1/Telegrafi/