Pjesa e parë filloi me një ritëm të shpejtë dhe të dyja palët bënin përpjekje të vazhdueshme për t’i rrezikuar portat kundërshtare, edhe pse mysafirët ishin më kërkues.
Ishte minuta e 22-të kur erdhi edhe goli i vetëm i takimit. Besnik Krasniqi dërgoi një goditje në portë nga brendësia e zonës të cilën portieri i Hysit e devijoi në këmbët e sulmuesit Florim Berbatovci, i cili ishte i pagabueshëm. Ky ishte goli i tetë për Berbatovcin i cili njëherit është edhe golashënuesi më i mirë i Prishtinës.
Posa filloi pjesa e dytë mysafirët patën një rast të qind për qindtë me Besnik Krasniqin, i cili e paraboloi portierin kundërshtar, por topi nuk hyri në portë.
Pas disa minutash vendasit i shtuan sulmet e tyre, teksa mysafirët vetëm tërhiqeshin prapa për ta mbrojtur rezultatin dhe ndonjëherë dilnin përpara me kundërsulme. Hysi e rriti presionin në minutat e fundit të takimit, por nuk ia arriti të shënojë golin e barazimit dhe kjo ndeshje përfundoi me rezultatin e pjesës së parë.
Prishtina me këtë fitore mban vendin e parë në tabelë me 38 pikë, katër më shumë se përcjellësi Trepça ’89. Ndërsa Hysi zbret në pozitën e shtatë me 24 pikë.
Rezultatet e javës së 19-të:
Trepça ’89 – Liria 1-0
Hajvalia – Llamkos Kosova 1-1
Drita – Drenica 1-1
Hysi – Prishtina 0-1
Besa – Vëllaznimi 3-0
Feronikeli – Trepça 1-1
/Telegrafi/