Site icon Telegrafi

Prishtina e fortë për Drenicën, rikthehet te fitoret

Kampioni i shumëfishtë i Kosovës, Prishtina ka arritur të rikthehet te fitoret në kampionat pas barazimit javën e kaluar.

Kryeqytetasit ishin nikoqir të Drenicës, duke e mposhtur me rezultat të thellë 6-0.

Edhe pse kishin disa raste të mira shënimi, goli i parë për Prishtinën erdhi në minutën e 38-të.

Ishte sulmuesi afrikan, Khalid që realizoi pasi fitoi një duel me mbrojtësit mysafir për 1-0.

Kur skuadrat po bëheshin gati për të shkuar në pushim, mesfushori Lorik Boshnjaku mposhti portierin Sadiku me një goditje të fortë nga rreth 20 metra për 2-0.

Goli i tretë për Prishtinën erdhi në minutën e 63-të, ku realizator ishte përsëri sulmuesi afrikan Khalid që shënoi pas një devijim nga mbrojtja mysafire.

Në minutën e 71-të në lojë u inkuadrua Gentrit Begolli i cili vetëm pas 20 sekondave shënoi nga afërsia për 4-0.

Për ‘Manita’ u përkujdes futbollisti nga Cërrnica e Gjilanit, Mërgim Neziri që shënoi në minutën e 80-të.

Ndërkohë golin e gjashtë në ndeshje e shënoi super talenti prishtinas, Shend Kelmendi në minutën e 88-të të ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Prishtina ngritët në pozitën e dytë në tabelë me 39 pikë të tubuara, gjashtë më pak se lideri Trepça ’89. /Telegrafi/

Exit mobile version