Site icon Telegrafi

Prishtina e fiton ndeshjen dramatike ndaj Trepçës në hendboll

(Foto: kosovahandball.info)

Prishtina ka fituar ndeshjen dramatike të luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Kryeqytetasit e mposhtën Trepçën vendase me rezultat të ngushtë, 29-28.

Deri në minutën e 24, mysafirët ishte në epërsi prej një goli, ndërsa vendasit vetëm barazonin. Por, me një seri të mirë, ‘Xehetarët’ krijuan epërsi prej 16-11, ndërsa pjesa e parë përfundoi 16-13.

Trepça mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë, por presioni i Prishtinës sa shkonte e rritej. Në minutën e 58-të rezultati u barazua në 28-28, ndërsa më pas vizitorët shënuan edhe golin e fitores, 29-28.

Te Prishtina u dallua portieri Menot Pozhegu, që ndali shumë gjuajtje të vendasve. Më efikasi ishte Oltion Beshiri me shtatë gola. Gjashtë i shënoi aloja Lulzim Shabani. Në minutat e fundit u shqua edhe aloja tjetër, Enis Kuleta, që i shënoi golat vendimtar, duke përfshirë edhe atë të fitores. Te Trepça më efikasi ishte Shpëtim Mehmeti me gjashtë gola. Nga pesë i shënuan Egzon Ademi e Sali Maxhera.

Një xhiro para fundit të Superligës A, Prishtina është e dyta me 43 pikë, ndërsa Trepça renditet e treta me 31 pikë. Por mitrovicasit nuk e kanë siguruar ende pozitën e tretë. Rahoveci është i katërti me 30 pikë.

Exit mobile version