Telegrafi

Prishtina do të kërkojë regjistrimin në Superligën e Shqipërisë

Kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina, është i gatshmëm që të bëhet pjesë e futbollit të Shqipërisë. Madje, ky klub edhe më parë kishte kërkuar pjesëmarrjen në Superligën e Shqipërisë. Disa nga klubet e Shqipërisë e kanë mirëpritur kërkesën e kryeministrit Berisha për inkuadrimin e skuadrave kosovare në futbollin e Shqipërisë, mirëpo ato klube kërkojnë që Prishtina të nisë garat nga Liga e Tretë, ashtu siç thonë rregullat e regjistrimit të klubeve të reja.Ndërkaq, Prishtina kërkon që “aventurën” në futbollin shqiptar ta nisë në Superligë.

Drejtori Sportiv i FC Prishtina, Sokol Krasniqi, ka thënë se Bordi i klubit ka vendosur që të angazhojë një avokat në Tiranë, i cili do të merret me çështjen e regjistrimit të klubit bardhekaltër. Sipas tij, është paradoksale që një klub siç është Prishtina të nisë garat nga Liga e Tretë, e jo nga Superliga.

“Me një vendim të Bordit të FC Prishtina, është vendosur që klubi ynë të angazhojë një avokat në Tiranë për nisur proceduar e regjistrimit të klubit tonë në Federatën e Futbollit të Shqipërisë”.

“Ne dëshirojmë që Prishtina të nisë garat nga Superliga e Shqipërisë. Mendoj se është paradoksale një klub siç është Prishtina të nis garat nga Liga e Tretë, ku do të shkonin tri ose katër vite që ne të bëhemi pjesë e elitës së futbollit të Shqipërisë, atëherë kur sigurisht se edhe Kosova do të jetë e pranuar në UEFA e FIFA”, ka thënë Sokol Krasniqi për KosovaPress.

Sipas tij, Prishtina ka potencial që të bëjë gara në rangun më të lartë të futbollit të Shqipërisë. Ai thotë se Prishtina ka skuadër që mund të përfaqësohet denjësisht në elitën shqiptare.

Ndryshe, Federata Shqiptare e Futbollit (FSH), është e gatshme t’i hapë dyert për klubet e Kosovës. Drejtori i zyrës së mediave në FSHF, Lirim Zalla, ka thënë se FSHF është e gatshme të pranojë klubet e Kosovës në kampionatin shqiptar. Zalla thotë se deri tash akoma asnjë klub kosovar nuk ka bërë kërkesë për regjistrim në FSHF. Sipas Zallës, çështja se në cilën kategori do të luajnë klubet kosovare, do të vendoset pasi të merren konsultim nga anëtarët e FSHF-së. /Telegrafi/