Site icon Telegrafi

Prishtina dhe Trepça ’89 afër finales së Kupës së Kosovës

Prishtina dhe Trepça ‘89 kanë shënuar fitore në kuadër të takimit të parë të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.

Prishtina ka mposhtur në gjysmëfinalen e parë me rezultat 3:0 skuadrën e Llapit, ndërsa skuadra mitrovicase mposhti Dritën me rezultat minimal prej 1:0, në saje të një goli në kohën shtesë.

Megjithëse në pjesën e parë u kërkua rruga e golit, rrjetat e ekipeve respektive heshtën në saje të portierëve.

Petrit Osmani (14’) bukur shërben Armend Thaçin në të djathtë, por ai nuk u tregua i saktë para golit të llapjanëve, raporton Telegrafi.

Në 45 minutshin e parë rastin më të mirë për mysafirët e kishin Edon Zeqiri (43’), i cili doli në pozitë të mirë nga e djathta, por topi qëllon rrjetën e jashtme.

Në pjesën e dytë, Llapi e kishte rastin ideal. Zabërgja (57’) nga afërsia bukur shërben Zogianin, i cili me kokë në portën e zbrazët nuk shënon duke gjuajtur mbi portë.

Por, prishtinasit arritën të kalonin në epërsi përmes Armend Thaçit. Ky i fundit mori një pasim të mirë nga Labinot Gashi, i cili në minutën 68-të takimit realizoi golin e epërsisë së Prishtinës.

Kreshnik Lushtaku ndalet nga Dardan Jashari (76’), ndërsa gjyqtari Bajram Gashi tregon në pikën e bardhë. Labinot Osmani morri përsipër ekzekutimin e penaltisë dhe shënon gol.

Labinot Osmani (90’+3) sërish realizon, këtë herë me kokë pas harkimit të ardhur nga e djathta, dalje e gabuar e portierit Ademi dhe nga afër realizon Labinoti, me ç’rast vulosi rezultatin përfundimtar prej 3:0.

Trepça ’89 triumfon kundër Dritës

Në gjysmëfinalen tjetër, Trepça ’89 mposhti Dritën. Mitrovicasit shënuan gol në kohën shtesë në saje të Fiton Hajdarit. Ky i fundit shënoi në kohën shtesë pas asistimit të mirë të Blerand Kurtishajt.

Kujtojmë se takimet e kthimit zhvillohen më 18 dhe 19 maj. /Telegrafi/

Exit mobile version