Garat u zhvilluan sipas sistemit të përcaktuar më parë, ku takohen ekipet nga Shqipëria me ato nga Kosova, kurse nga Kampionatet kombëtare kalkulohen pikët e ndeshjeve direkte të tri ekipeve pjesëmarrëse në Ligën Dardania. Dje, ndeshja më interesante u zhvillua ndërmjet KP Teuta e Durrësit dhe KP Prishtina nga Prishtina në kategorinë e femrave.
Pas shumë ndeshjeve individuale të forta, ekipi i Durrësit ishte më i mirë dhe me meritë e fitoi ndeshjen derbi dhe njëherit fiton titullin e Kampionit në Ligën Dardania. Të vetmen fitore për Prishtinën e shënoi Iliriana Haliti ndaj Oriana Agollit me 3:0 në sete. Megjithatë, vendimtare ishte lojtarja më e mirë e Teutës Liridona Rexhaj e cila i mposhti dy lojtaret më të mira të Prishtinës, Nehare Janjevën dhe Iliriana Halitin madje me rezultatin 3:0 në seta.
Te femrat mungesa e KP Drita e varfëroi shumë garën dhe bëri që të mos ketë atraktivitetin e pritur. Në një konkurrencë të tillë, ekipet nga Shqipëria dominuan, kurse vërehet një zbehje e aktivitetit të klubeve të femrave në Kosovë.
Te meshkujt, klubet kosovare ende qëndrojnë më lart se ato të Shqipërisë e këtë e vërteton më së miri renditja përfundimtare, ku në tri vendet e para renditen tri klubet më të mira të Superligës së Kosovës, transmeton QIK-u.
Madje, në të tria ndeshjet e ndërsjella ekipet kosovare fituan ndaj atyre nga Shqipëria. Kështu për titullin kampion vendimtare dolën të jenë rezultatet e arritura në garat e Superligës së Kosovës, ku Prishtina pa asnjë ndeshje të humbur u rendit e para, KP Elting u rendit e dyta, kurse KP Ahmet Hoxha e treta. Klubi më mirë i renditur nga Shqipëria ishte KP Tomorri nga Berati i katërti, Studenti i Tiranës doli i pesti, kurse Tirana e fundit.